Gjatë qëndrimit në Bruksel, në kuadër të Takimit Ministror të Platformës Drejtuese të Ballkanit Perëndimor për Kërkim Shkencor dhe Inovacion, zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, zhvilloi takime me komisioneren e Bashkimit Evropian për Start-ups, Kërkim dhe Inovacion, Ekaterina Zaharieva, dhe ministrin e Irlandës për Arsimin e Mëtejshëm dhe të Lartë, Hulumtim, Inovacion dhe Shkencë, James Lawless.
Në takimin me komisioneren Zaharieva, të cilin zëvendësministri e mbajti bashkë me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, në qendër të bisedës ishte bashkëpunimi me Bashkimin Evropian dhe rritja e pjesëmarrjes së hulumtuesve, universiteteve dhe bizneseve inovative në programet evropiane.
Zëvendësministri Kryeziu theksoi se një nga objektivat kryesore të strategjisë së re të arsimit do të jetë pikërisht konsolidimi i kornizës institucionale për hulumtim dhe ngritja e kapaciteteve të hulumtuesve për të konkurruar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë që ka përmirësimi i pjesëmarrjes së Kosovës në Horizon Europe dhe integrimi sa më i gjerë në rrjetet evropiane të shkencës dhe hulumtimit, si dhe paraqiti planet për themelimin e Fondit të Shkencës, si mekanizëm qendror për nxitjen dhe mbështetjen e hulumtimit shkencor.
Ndërkaq, në takimin bilateral me ministrin e Irlandës për Arsimin e Mëtejshëm dhe të Lartë, Hulumtim, Inovacion dhe Shkencë, James Lawless, u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm në fushën e arsimit dhe për mundësitë për thellimin e partneritetit dhe rritjen e shkëmbimit të përvojave, veçanërisht në financimin e hulumtimit, krijimin e mekanizmave që lidhin universitetet dhe institutet kërkimore me industrinë, si dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në mësimdhënie dhe nxënie në arsimin e lartë.