Zëvendësministri Kryeziu mori pjesë në tryezën e diskutimit “Mbyllja e Hendekut Gjinor në Shërbimet e Kujdesit: Më Shumë Zgjedhje për Gratë”

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, mori pjesë në tryezën e diskutimit të organizuar nga Instituti Riinvest, në cilësinë e Sekretariatit të Forumit Ekonomik të Gruas, “Mbyllja e Hendekut Gjinor në Shërbimet e Kujdesit: Më Shumë Zgjedhje për Gratë”, ku u diskutua për rëndësinë e zgjerimit të shërbimeve të kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit, si dhe ndërlidhjen e tyre me mundësitë e punësimit dhe pjesëmarrjes ekonomike të grave.

Në fjalën e tij, zëvendësministri Kryeziu bëri të ditur se edukimi në fëmijërinë e hershme mbetet prioritet i lartë i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe do të jetë një nga shtyllat e Strategjisë së re të Arsimit 2035+.

“Synimi ynë është që çdo fëmijë, pavarësisht përkatësisë, vendbanimit apo rrethanave socio-ekonomike të ketë qasje në shërbime cilësore, në distancë të përshtatshme dhe me kosto të përballueshme për familjen”, tha zëvendësministri.

Duke folur për veprimet e deritanishme në zgjerimin e rrjetit të çerdheve dhe rritjen e pjesëmarrjes së fëmijëve në edukim në fëmijëri të hershme, veçanërisht në pesë vitet e fundit, përkatësisht gjatë mandatit të fundit të plotë qeverisës, ai veçoi investimet e gjithmbardhme në vlerë prej rreth 44 milionë euro në infrastrukturën fizike, ndërtime të reja ose adaptime, në gjithsej 27 komuna, dhe miratimin e Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme. Ndërkohë që Ministria e Arsimit po vazhdon angazhimet në zbatimin e Kurrikulës së re, sigurimin e cilësisë, zhvillimin profesional të edukatorëve, fuqizimin e gjithëpërfshirjes dhe forcimin e partneritetit me familjen dhe komunitetin. 

Si dëshmi e progresit të arritur, ai iu referua rezultateve të Anketës së Treguesve të Shumëfishtë 2025 të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në partneritet me UNICEF-in në Kosovë, sipas së cilave, pjesëmarrja e fëmijëve në edukim të fëmijërinë e hershme në pesë vite është rritur për më shumë se dyfish, duke e cilësuar atë si rezultat konkret i politikave qeverisëse dhe i kontributit të të gjithë hisedarëve të kësaj fushe. 

Zëvendësministri Kryeziu falënderoi organizatorët për ftesën dhe diskutimin e hapur, dhe për raportin e prezantuar sikurse edhe rekomandimet e sugjerimet e vlefshme të dala nga ai raport.  

Në panelin e diskutimit morën pjesë edhe drejtori i departamentit të Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Mentor Morina, Udhëheqësja e Zyrës së UNFPA-së në Kosovë, Visare Mujko-Nimani, Koordinatorja e Forumit Ekonomik të Grave, Saxhide Mustafa, Nënkryetarja e Komunës së Suharekës, Arta Gashi, si dhe Luljeta Demolli, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore.

Në kuadër të tryezës, u prezantua raporti i Institutit GAP “Institucionet e kujdesit në Kosovë: Kapacitetet dhe shpërndarja gjeografike në kontekstin e punësimit të grave”, i cili trajton kapacitetet dhe shpërndarjen e institucioneve të kujdesit në Kosovë dhe ndërlidhjen e tyre me mundësitë e punësimit të grave. Të dhënat e raportit në nivel komunal tregojnë një lidhje mes shtrirjes së shërbimeve të kujdesit dhe nivelit të joaktivitetit të grave në tregun e punës. Komunat ku këto shërbime janë më të pranishme karakterizohen nga nivele më të ulëta të grave joaktive, ndërsa në komunat me mungesë më të madhe të shërbimeve të kujdesit vërehet prani më e lartë e grave jashtë tregut të punës.

wpChatIcon
wpChatIcon
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors