Zëvendësministri i parë i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, mori pjesë në Takimin Ministror të Platformës Drejtuese të Ballkanit Perëndimor për Kërkim Shkencor dhe Inovacion, të organizuar në Bruksel nga komisionerja e Bashkimit Evropian për Start-ups, Kërkim Shkencor dhe Inovacion, Ekaterina Zaharieva.
Aty, zëvendësministri ishte folës në kuadër të panelit të diskutimit për hulumtim, të kryesuar nga ministri i Irlandës për Arsimin e Mëtejshëm dhe të Lartë, Hulumtim, Inovacion dhe Shkencë, James Lawless. Gjatë panelit, ai foli për sfidat strukturore në mbështetjen e karrierave të hulumtuesve në Kosovë dhe zgjidhjet që mundësojnë që ekosistemi kërkimor në vend të zhvillohet dhe të integrohet më mirë brenda rrjeteve ndërkombëtare të bashkëpunimit në fushën e hulumtimeve.
Në kuadër të diskutimit, zëvendësministri Kryeziu gjithashtu paraqiti politikat dhe programet e deritanishme të financimit për hulumtuesit, si dhe planet për konsolidimin dhe zgjerimin e tyre për një ekosistem kërkimor të qëndrueshëm që i shërben prioriteteve kryesore zhvillimore të vendit, si dhe nevojave të tregut.
Pjesë e delegacionit të Republikës së Kosovës në këtë ministerial ishte po ashtu ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila. Delegacioni u shoqërua nga ambasadori i vendit tonë në Bruksel, Agron Bajrami.
Në përmbyllje të diskutimit, u ndanë edhe çmimet e dhëna nga Bashkimi Evropian për inovacion, me të cilat u vlerësuan inovatorë të rinj nga rajoni. Nga Kosova, këtë çmim e fitoi Arbnora Kllokoqi, themeluese e platformës “Mendje”, e cila përdor teknologjinë për të lehtësuar qasjen në shërbimet e shëndetit mendor.
Gjatë këtij takimi, Bashkimi Evropian dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor miratuan një deklaratë të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit në kërkimin shkencor dhe inovacion, si dhe për hartimin e një Plani të Përbashkët të Veprimit. Platforma Drejtuese e Ballkanit Perëndimor për Kërkim Shkencor dhe Inovacion këtë vit shënoi 20-vjetorin e themelimit.