Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, mori pjesë në ngjarjen përmbyllëse të projektit “Fuqizimi i Komuniteteve të Cenueshme të Kosovës përmes një Qasjeje më të Mirë dhe të Barabartë në Tregun e Punës”, organizuar nga Save the Children Kosova, në partneritet me Syri i Vizionit dhe Nevo Koncepti, dhe financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).
Në fjalën e tij, zëvendësministri Kryeziu theksoi se arsimi mbetet mjeti më i fuqishëm për të thyer barrierat që pengojnë fëmijët dhe të rinjtë të realizojnë potencialin e tyre. Ai nënvizoi se niveli qendor, ndërvite ka ndërmarrë një sërë politikash për të mbështetur fëmijët dhe të rinjtë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Ndër to mbështetje për përfshirjen në edukimin e hershëm përmes programit të kuponëve, lehtësirat për regjistrim në arsimin e mesëm, përkatësisht në shkolla profesionale dhe gjimnaze, bursat e përvitshme për nxënës të shkollave të mesme të larta dhe studentë, vendet e rezervuara në arsimin e lartë, si dhe mbështetjen financiare për OJQ-të që drejtojnë qendra mësimore. Me tej, zëvendësministri u shpreh i bindur se këto janë politikat e duhura dhe se rruga është e mbarë, por gjithashtu edhe i vetëdijshëm për ngecjet, sfidat dhe për punën përpara.
Ai shtoi se synimi i qeverisë dhe ministrisë mbetet që progresi shoqëror, të shtrihet te secili fëmijë, te secila familje dhe në çdo pjesë të vendit tonë, dhe përkrah përpjekjeve institucionale, puna e partnerëve tanë dhe bashkëpunimi me partnerë është tejet i rëndësishëm. Si një prej këtyre bashkëpunimeve, ai veçoi projektin nga Save the Children me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim, me ç’rast ai falënderoi si organizatat, ashtu edhe donatorin, për realizimin e projektit dhe për mbështetjen.
I zbatuar nga tetori 2023 deri në shtator 2026, projekti ka kontribuar në përmirësimin e qasjes në arsim, aftësim profesional dhe punësim për fëmijët dhe të rinjtë nga komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane. Ndër rezultatet kryesore: 92 nxënës të braktisur u rikthyen në arsim, kurse 207 nxënës që ishin identifikuar si në rrezik për të braktisur shkollën morën mbështetjen për të vazhduar shkollin, mbi 500 nxënës të cenueshëm përfituan mbështetje financiare të lidhur me arsimin, mbi 4,700 nxënës përfituan nga programe të zhvillimit personal dhe aftësive jetësore, ndërsa mbi 5,000 nxënës të arsimit profesional u përfshinë në aktivitete të orientimit në karrierë. Projekti forcoi gjithashtu kapacitetet e 24 shkollave dhe ekipeve komunale për parandalim dhe reagim ndaj braktisjes së shkollimit.