Zëvendësministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, priti në takim Rektorin e Universitetit të Maltës, Prof. Frank Bezzina, të shoqëruar nga Prorektori për Zbatim Strategjik dhe Qëndrueshmëri, Vincent Cassar, me të cilët diskutoi për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë të Kosovës dhe Maltës. Në takim morën pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), Naim Gashi, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtare dhe Ngritje të Cilësisë i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, Edmon Beqiri, Shefi i Shkollës Doktorale, Ibish Mazreku, edhe këshilltarja e Ministrit, Arta Berisha.
Zëvendësministri Kryeziu falënderoi rektorin Bezzina dhe Universitetin e Maltës për bashkëpunimin dhe mbëshetjen ndaj institucioneve të arsimit të lartë, veçanërisht ndaj Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, i cili gjatë takimit u vlerësua si një shembull i mirë i partneritetit ndërkombëtar ndëruniversitar.
Bashkë diskutuan për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit akademik dhe shkencor, përmes programeve të përbashkëta, mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik, projekteve të përbashkëta kërkimore dhe shkëmbimit të përvojave, si dhe për ndarjen e përvojave në fushën e sigurisë së cilësisë në arsimin e lartë.
Palët shprehën gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit institucional, me synim ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë, ngritjen e kapaciteteve akademike dhe avancimin e kërkimit shkencor.