Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka hapur thirrjen për aplikim në Programin e Kuponëve për familjet përfituese të Skemës së Asistencës Sociale që kanë fëmijë të moshës 3-6 vjeç dhe të cilat banojnë në Vushtrri, Gjilan, Prishtinë, Pejë, Drenas, Lipjan, Ferizaj, Shtime, Viti, Fushë Kosovë, Suharekë, Gjakovë, Graçanicë, Mitrovicë, Klinë, Prizren, Obiliq dhe Podujevë.
Programi mundëson vijimin e edukimit në kopshte private dhe publiko-private të licencuara, sipas zgjedhjes së familjes, me pagesë të mbuluar plotësisht dhe pa kosto për prindërit. Mbështetja mbulon të gjithë ciklin e edukimit në fëmijërinë e hershme, sipas kushteve të programit. Për fëmijët që banojnë larg kopshtit të përzgjedhur, parashihet edhe mbështetje për transport, aty ku plotësohen kriteret e thirrjes.
Familja duhet të jetë përfituese e asistencës sociale, ndërsa fëmija duhet të plotësojë kriterin e moshës dhe të ketë vendbanimin në komunën ku aplikon për të vijuar kopshtin. Aplikimi mund të bëhet edhe para se fëmija të ketë mbushur moshën 3 apo 6 vjeç, duke filluar nga 2 vjeç e 6 muaj deri në moshën 5 vjeç e 6 muaj. Me kusht që vijimin në kopsht ta nis në moshën 3-vjeçare dhe ta përfundoj kur fëmija fillon edukimin e detyrueshëm parafillor apo fillor në një institucion publik arsimor. Kriteret e hollësishme janë të përcaktuara në thirrjen e plotë të cilën mund ta gjeni në linçet më poshtë.
Pjesëmarrja në Programin e Kuponëve nuk ndikon në përfitimet nga Skema e Asistencës Sociale.
Familjet që tashmë përfitojnë nga programi dhe familjet që kanë përfituar nga ky program gjatë vitit shkollor 2025/26, fëmijët e të cilëve tani i takojnë grupmoshës 5-6 vjeç dhe që nuk kanë filluar edukimin e detyrueshëm parafillor në një institucion publik arsimor, duhet të riaplikojnë për vazhdimin e mbështetjes. Konfirmimi dhe përditësimi i të dhënave dhe dokumentacionit janë të domosdoshëm dhe bëhen në të njëjtën vegëz në e-Kosova. Këto familje nuk i nënshtrohen sërish përzgjedhjes së rastësishme; mbështetja vazhdon automatikisht për sa kohë që plotësojnë kushtet e programit.
Afati për aplikim: nga 19.11.2026 deri më 10.12.2026.
Aplikimi bëhet nga prindi ose kujdestari ligjor përmes platformës e-Kosova: https://rks-gov.net/596
Për ndihmë gjatë aplikimit, drejtohuni te Qendra për Punë Sociale në komunën tuaj.
Thirrja e plotë dhe kriteret për aplikim: https://mash.rks-gov.net/wp-content/uploads/2026/11/19.11.2026_Thirrja-per-familje_Programi-i-Kuponeve_e-lekturuar.pdf
Për informata shtesë: 038 200 65048 ose programiikuponave@rks-gov.net.