344 nxënës nga të gjitha komunat e Kosovës iu nënshtruan testit në kuadër të Olimpiadës së përbashkët Kosovë-Shqipëri në Gjuhën Shqipe për klasat e nënta.
Procesi i organizimit dhe administrimit të testit është realizuar nga Komisioni i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Qendra e Vlerësimit, në përputhje me standardet dhe procedurat e parapara për zhvillimin e kësaj gare.
Testi për fazën e tretë, në nivel vendi, ka filluar në kohën e përcaktuar dhe është zhvilluar me pjesëmarrje të lartë të nxënësve nga të gjitha komunat e vendit.
Paraprakisht, faza e parë në nivel shkolle dhe faza e dytë në nivel komune janë zhvilluar me sukses, duke mundësuar identifikimin dhe përzgjedhjen e nxënësve me rezultatet më të mira në Gjuhën Shqipe.
Para fillimit të testit, zëvendësministri i Arsimit, Përparim Kryeziu, përshëndeti nxënësit pjesëmarrës dhe vlerësoi angazhimin e tyre në kultivimin dhe avancimin e gjuhës shqipe, si një ndër vlerat themelore të identitetit dhe kulturës sonë kombëtare.
Finalja e përbashkët Kosovë – Shqipëri do të mbahet më 23 maj 2026, në Prishtinë.