Konsultimet me komunitetin arsimor për hartimin e Strategjisë së Arsimit 2035+ kanë vijuar në Prizren, ku Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh), në bashkëpunim me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), ka zhvilluar takim me mësimdhënës nga rajoni i Prizrenit.
Takimi u përqendrua në përvojat dhe sfidat e mësimdhënësve, si dhe në propozimet e tyre për drejtimet që duhet të marrë sistemi arsimor në vitet e ardhshme. Po ashtu, u diskutua për cilësinë në arsim, zhvillimin profesional, kushtet e punës, mirëqenien e punëtorëve të arsimit, autonominë dhe zhvillimin e shkollës, kurrikulën, digjitalizimin dhe financimin e arsimit.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku theksoi se reforma duhet të ndihet aty ku zhvillohet mësimi dhe se mësimdhënësit duhet ta kenë mbështetjen e nevojshme për ta jetësuar ndryshimin. Ai tha se këto konsultime janë të rëndësishme për të identifikuar nevojat konkrete dhe për të mbledhur propozime që mund të shërbejnë si bazë për politikat dhe vendimet e ardhshme në arsim.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, vlerësoi rëndësinë e përfshirjes së punëtorëve të arsimit në këtë proces dhe të vazhdimit të bashkëpunimit me Ministrinë në adresimin e çështjeve që prekin drejtpërdrejt sistemin arsimor.
Gjatë diskutimit, mësimdhënësit paraqitën përvojat e tyre nga puna në institucionet arsimore, duke adresuar sfidat aktuale dhe duke dhënë rekomandime konkrete që mund të shërbejnë në përcaktimin e prioriteteve të Strategjisë së Arsimit 2035+.
Procesi i konsultimeve do të vazhdojë edhe në rajonet e tjera të Kosovës, me synimin që Strategjia e Arsimit 2035+ të përfshijë perspektivat dhe nevojat e komunitetit arsimor në të gjithë vendin.
Gjatë vizitës në Prizren, ministri Çeku, së bashku me zëvendësministrin e Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu vizituan çerdhen që është duke u ndërtuar në lagjen Dardania, ku u njohën nga afër me ecurinë e punimeve dhe kushteve që do të ofrohen për edukimin dhe kujdesin në fëmijërinë e hershme.
Më pas, ministri Çeku dhe zëvendësministri Kryeziu vizituan kampusin e Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, ku u priten nga rektori Mentor Alishani dhe stafi akademik. Gjatë takimit u diskutua për avancimin e infrastrukturës dhe kushteve për zhvillimin e veprimtarisë akademike.