Në Prishtinë, nis cikli i bashkëbisedimeve me prindërit për Strategjinë e Arsimit 2035+

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, së bashku me kryetarin e Këshillit të Prindërve të Kosovës, Besnik Dragusha kanë nisur ciklin e bashkëbisedimeve me prindërit në nivel të Republikës së Kosovës, në kuadër të procesit të hartimit të Strategjisë së Arsimit 2035+. Takimi i parë u mbajt në Prishtinë, me qëllim të dëgjimit të drejtpërdrejtë të shqetësimeve, propozimeve dhe rekomandimeve të prindërve për të ardhmen e sistemit arsimor.

Ministri Çeku theksoi se arsimi prek çdo familje dhe se adresimi i sfidave të sistemit arsimor kërkon angazhim të përbashkët. Ai u shpreh se ndryshimet në arsim kërkojnë përfshirjen aktive të prindërve dhe se zëri i tyre duhet të dëgjohet dhe të ketë peshë në vendimet që ndikojnë drejtpërdrejt në edukimin dhe të ardhmen e fëmijëve.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Besnik Dragusha tregoi rëndësinë e përfshirjes së prindërve në proceset vendimmarrëse që lidhen me arsimin, si dhe rolin e Këshillit në përcjelljen e shqetësimeve, nevojave dhe propozimeve të tyre. Ai vlerësoi bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në mënyrë që perspektiva e prindërve të jetë pjesë e diskutimeve dhe e procesit të hartimit të Strategjisë së Arsimit 2035+.

Gjatë bashkëbisedimit, prindërit ndanë përvojat e tyre dhe paraqitën sugjerime e rekomandime lidhur me sfidat me të cilat përballen nxënësit dhe familjet në sistemin arsimor. Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e bashkëpunimit për zhvillimin e arsimit në vitet e ardhshme.

Cikli i bashkëbisedimeve do të vazhdojë edhe në qendrat e tjera rajonale të Kosovës, me synimin që prindërit nga mbarë vendi të kontribuojnë në strategjinë e re të arsimot, që do të përcaktojë drejtimin e zhvillimit të sistemit arsimor për dekadën e ardhshme.

wpChatIcon
wpChatIcon
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors