Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, dhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, mbajtën në Gjakovë bashkëbisedimin e radhës me mësimdhënës për hartimin e Strategjisë së Arsimit 2035+. Ky takim shënon përfundimin e këtij cikli konsultimesh, përmes të cilit janë mbledhur pikëpamjet dhe propozimet e mësimdhënësve për zhvillimin e arsimit në Kosovë gjatë dekadës së ardhshme.
Gjatë takimit, ministri Çeku theksoi se Strategjia e Arsimit 2035+ duhet të hartohet përmes një procesi gjithëpërfshirës, me kontributin e institucioneve, sindikatave, mësimdhënësve, prindërve dhe nxënësve. Ai veçoi përmirësimin e pozitës së mësimdhënësve, mbështetjen dhe zhvillimin e tyre profesional, si dhe çështje të tjera që do të trajtohen në strategji, përfshirë fuqizimin e shkollave, kriteret për hyrjen në profesion, mësimin gjithëditor dhe kontratën kolektive.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, vlerësoi rëndësinë e dialogut me Ministrinë e Arsimit, duke theksuar se përvoja dhe propozimet e mësimdhënësve duhet të përfshihen në hartimin e strategjisë. Ai nënvizoi nevojën për përmirësimin e kushteve të punës, zhvillimin profesional dhe ngritjen e cilësisë në arsim.
Para takimit me mësimdhënësit e rajonit të Gjakovës, ministri Çeku, së bashku me zëvendësministrin Përparim Kryeziu, zëvendësministrin Muhedin Nushi dhe këshilltaren Gentiana Pallaska kanë vizituar çerdhen në ndërtim e sipër dhe Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova”, ku janë njoftuar nga afër me ecurinë e punimeve në çerdhe dhe veprimtarinë e shkollës.
Në kuadër të vizitës në Gjakovë, ministri Çeku dhe zëvendësministri Muhedin Nushi vizituan edhe Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”, ku u pritën nga rektori Drilon Bunjaku. Gjatë takimit u diskutuan çështje me rëndësi për zhvillimin e arsimit të lartë dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve arsimore.