Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, priti në takim Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadorin Gerard McGurk, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet MASh dhe OSBE, si dhe mundësitë për thellimin e këtij partneriteti në të ardhmen.
Gjatë takimit, ministri Çeku shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që OSBE ka dhënë për sektorin e arsimit në Kosovë, në fusha të rëndësishme si promovimi i të drejtave të njeriut në arsim, siguria në shkolla, parandalimi i braktisjes së shkollimit, barazia dhe përfshirja në arsim, si dhe mbështetja për hartimin e politikave dhe reformave arsimore.
Ministri Çeku theksoi përkushtimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për vazhdimin e reformave që synojnë rritjen e cilësisë në arsim dhe krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë nxënësit, duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit me organizatat ndërkombëtare në këtë proces.
Nga ana e tij, Ambasadori Gerard McGurk, rikonfirmoi gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen ndaj institucioneve të Kosovës në avancimin e sistemit arsimor dhe në realizimin e objektivave të përbashkëta në shërbim të të rinjve dhe shoqërisë.