Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, së bashku me kryetarin e Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës, Flon Kastrati, kanë vazhduar në Gjilan takimet me studentë, në kuadër të procesit të hartimit të Strategjisë së Arsimit 2035+.
Ministri Çeku, në fjalën e tij theksoi se përfshirja aktive e studentëve në procesin e hartimit të strategjisë është e domosdoshme për të identifikuar nevojat reale të arsimit të lartë dhe për të përcaktuar masa që adresojnë sfidat me të cilat përballet kjo fushë.
Gjatë bashkëbisedimit, ministri Çeku nënvizoi nevojën e reformimit të arsimit të lartë, përmirësimit të kushteve të studimit, zhvillimit të shkencës dhe orientimit të programeve akademike drejt nevojave të tregut të punës, në mënyrë që diplomat universitare të krijojnë mundësi konkrete punësimi dhe zhvillimi të karrierës profesionale.
Ndërkaq, kryetari i Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës, Flon Kastrati, theksoi se arsimi është çështje dhe përgjegjësi e përbashkët, si dhe vlerësoi se angazhimi dhe përgjegjësia që merret sot nga të gjithë akterët e përfshirë në këtë proces është një kontribut i rëndësishëm për brezat e ardhshëm.
Gjatë takimit, studentët ndanë mendimet, përvojat dhe rekomandimet e tyre lidhur me sfidat në arsimin e lartë, cilësinë e programeve të studimit, kushtet e mësimnxënies, përfshirjen në proceset vendimmarrëse, si dhe mundësitë për zhvillim akademik e profesional.