Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, ka pritur në takim një delegacion nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, me fokus të veçantë u diskutua përfshirja e studentëve në hartimin e Strategjisë së re të Arsimit 2035+.
Gjatë takimit, Ministri Çeku theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes aktive dhe sa më të madhe të studentëve në diskutimet publike dhe në proceset politikëbërëse, ashtu që Strategjia e re e arsimit të reflektojë drejtpërdrejt nevojat dhe vizionin e rinisë sonë.
Përveç kornizës strategjike, në takim u diskutua edhe për arsimin e lartë në përgjithësi, duke përfshirë mbështetjen financiare dhe skemat e bursave, si dhe përmirësimin e kushteve të studimit e jetesës. Studentët ngritën çështje që lidhen me infrastrukturën universitare, strehimin në konvikte dhe shërbimet e Qendrës së Studentëve.
Takimi rikonfirmoi përkushtimin e Ministrisë për dialog të vazhdueshëm me studentët, me synim që zëri i tyre të jetë pjesë përbërëse e reformave në arsim.