Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, së bashku me ministren në detyrë të Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, pritën sot në takim finalistët e Olimpiadës së përbashkët Kosovë–Shqipëri për Gjuhën Shqipe për nxënësit e klasave të nënta.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ministri Çeku dhe ministrja Bogujevci u dorëzuan certifikata tetë finalistëve nga Kosova, të cilët u renditën në tri vendet e para të kësaj olimpiade, ku morën pjesë gjithsej 21 finalistë nga Kosova dhe Shqipëria.
Ministri Çeku përgëzoi nxënësit për rezultatet e arritura, duke vlerësuar përkushtimin e tyre në kultivimin dhe avancimin e njohurive për gjuhën shqipe. Ai theksoi se suksesi i tyre është dëshmi e potencialit të madh që kanë të rinjtë tanë dhe i rëndësisë së promovimit të gjuhës shqipe përmes aktiviteteve të përbashkëta arsimore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Nga tetë finalistët e Kosovës, një nxënës u vlerësua me vendin e parë, duke arritur mbi 85 për qind të pikëve në test, dy nxënës zunë vendin e dytë me rezultat prej 75 deri në 85 për qind, ndërsa pesë nxënës u renditën në vendin e tretë me rezultat prej 65 deri në 75 për qind të pikëve.
Olimpiada e përbashkët Kosovë–Shqipëri për Gjuhën Shqipe synon të nxisë dashurinë për gjuhën amtare, të promovojë kulturën gjuhësore dhe të forcojë bashkëpunimin arsimor ndërmjet dy vendeve.