Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, mori pjesë sot në tryezën shkencore “Dr. Zymer Neziri – 80-vjetori i lindjes”, të organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, në nderim të veprës shkencore të studiuesit të njohur të folklorit dhe epikës shqiptare.
Ministri Çeku, në fjalën e tij, vlerësoi Prof. Dr. Zymer Nezirin si një nga figurat e rëndësishme të albanologjisë dhe shtyllat kryesore të dokumentimit, ruajtjes dhe afirmimit të trashëgimisë shqiptare, dhe e falënderoi për punën, kontributin dhe shembullin frymëzues për gjeneratat e reja të studiuesve.
“Profesor Neziri është një studiues i dalluar dhe një nga shtyllat kyçe të dokumentimit, ruajtjes dhe afirmimit të trashëgimisë sonë shpirtërore. Puna e tij shumëvjeçare me Eposin e Kreshnikëve, koleksion ky i përbërë nga mbi 100 000 vargje nga pesë vendet e Ballkanit, dhe me traditën gojore shqiptare përbën një pasuri të vlefshme, për albanologjinë, kulturën dhe trashëgiminë”.
Ministri Çeku gjithashtu vlerësoi praninë e studiuesve dhe akademikëve ndërkombëtarë në këtë tryezë si dëshmi të përmasës së veprës së profesor Nezirit dhe theksoi përkushtimin e Ministrisë për mbështetjen e kërkimit shkencor, Institutit Albanologjik dhe promovimin e personaliteteve që kontribuojnë në ruajtjen dhe pasurimin e historisë dhe kulturës kombëtare.
Tryeza shkencore mblodhi studiues dhe albanologë nga universitete dhe institucione të njohura ndërkombëtare, të cilët prezantuan referime mbi veprën dhe kontributin shkencor të profesor Nezirit. Në mesin e pjesëmarrësve ishin Dr. Nicola Scaldaferri nga Universiteti i Milanos, Dr. Ina ArapI, Universiteti i Vjenës, Dr. Ardian Ahmedaja, Universiteti i Muzikës dhe Arteve të Interpretimit, Vjenë, Dr. Justin Elliott, Universiteti i Londrës, si dhe Dr. Albin Sadiku, Instituti Albanologjik.
Në kuadër të aktivitetit, në shenjë nderimi për jetën dhe veprimtarinë e tij shkencore, Prof. Dr. Zymer Nezirit iu nda çmimi “Ali Lajçi”, nga Klubi i Intelektualëve dhe Profesorëve Universitarë. Po ashtu, familja Kelmendi i ndau mirënjohje për kontributin e tij në ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Në fjalën e tij, profesor Neziri shprehu mirënjohjen për të gjithë të pranishmit, studiuesit dhe përfaqësuesit institucionalë, duke i falënderuar për pjesëmarrjen dhe nderimin e bërë në 80-vjetorin e lindjes së tij. Ai vlerësoi organizimin e këtij aktiviteti dhe vëmendjen e kushtuar veprës dhe kontributit të tij shkencor.
Aktiviteti u përmbyll me një program artistik nga Shoqëria Kulturo-Artistike “Rugova”, të cilët përmes valles tradicionale shqiptare, sollën në këtë përvjetor edhe një dimension të trashëgimisë folklorike.