Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, mori pjesë në ditën e parë të seminarit dyditor me temën “Fuqizimi i SBASHK-ut për dialog social, negociata kolektive dhe përfaqësim të punëtorëve të arsimit”, të organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, me mbështetjen e Qendrës Amerikane të Solidaritetit.
Ministri Çeku përshëndeti organizimin e seminarit dhe theksoi përkushtimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për avancimin e dialogut social dhe ndërtimin e një partneriteti të qëndrueshëm me përfaqësuesit e punonjësve të arsimit.
Ministri Çeku foli për parimet mbi të cilat do të mbështetet dialogu social, duke veçuar ndër të tjerash partneritetin në mirëbesim, si parim themeltar.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe dialogut social me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, duke theksuar zhvillimet pozitive në këtë drejtim.
Ndërkaq, kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, theksoi se forcimi i këtij dialogu do të kontribuonte në krijimin e kushteve më të favorshme për punonjësit e arsimit dhe të sektorëve të tjerë në Kosovë, meqë, sipas tij, shumë prej çështjeve dhe sfidave mund të adresohen përmes bashkëpunimit dhe komunikimit të vazhdueshëm.
Në seminar morën pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i SBASHK-ut, Ymer Ymeri, përfaqësuesja e Qendrës Amerikane të Solidaritetit, Zyra në Tiranë, Brunilda Hylviu, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe strukturave sindikale.