Ministri Çeku mori pjesë në panelin e nivelit të lartë të Forumit të Ballkanit Perëndimor në Pecs

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku mori pjesë në panelin e nivelit të lartë të Forumit të Ballkanit Perëndimor në Pecs, të organizuar nga Universiteti i Pecs të Hungarisë për arsimin e lartë dhe inovacion. Temë e këtij paneli ishte “Ndërlidhja e rajoneve. Ndërtimi i së ardhmes. Roli i arsimit të lartë në integrimin rajonal.”

Diskutimi u përqendrua në përfshirjen e arsimit të lartë në procesin integrues të Kosovës dhe shteteve të rajonit në Bashkimin Evropian. Kosova ndan vlerat e përbashkëta me BE-në dhe po punon për arritjen e objektivave të Planit të Rritjes, përfshirë ato në fushën e edukimit. Gjatë këtij paneli, Ministri Çeku theksoi se po ndërmerret një hap kyç për të ardhmen e sektorit akademik: procesi i ristrukturimit të arsimit të lartë në kuadër të Strategjisë së Arsimit 2035+. Ky reformim synon lidhjen më të ngushtë të diplomimit me prioritetet zhvillimore të vendit dhe tregun e punës, specializimin e mëtejshëm të institucioneve, si dhe kalimin në një model financimi strategjik të bazuar në performancë. 

Vëmendje e veçantë iu kushtua ndërkombëtarizimit dhe mobilitetit akademik si mekanizma për afrimin e institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë me hapësirën evropiane. U theksua nevoja për zgjerimin e bashkëpunimeve ndëruniversitare, si dhe rritja e pjesëmarrjes së studentëve e stafit akademik në programe shkëmbimi. Këto përpjekje synojnë ngritjen e cilësisë dhe konkurrueshmërisë, si dhe fuqizimin e lidhjeve institucionale me vendet e BE-së, duke e bërë bashkëpunimin ndërkombëtar një shtyllë të rëndësishme në rrugën e Kosovës drejt integrimit.

Pjesë e këtij paneli ishin gjithashtu Zëvendëssekretarja e Shtetit të Hungarisë, Katalin Kurucz, Ministrja e Arsimit dhe Shkencës e Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Jasna Duraković, si dhe ish-Ministri i Arsimit i Holandës, Jo Ritzen.

Në këtë Forum nga Kosova, krahas personaliteteve të tjera akademike dhe institucionale nga Evropa dhe më gjerë, po marrin pjesë edhe Prorektorja e Universitetit të Prishtinës, Rozafa Basha, Rektori i Universitetit të Prizrenit, Mentor Alishani, profesori i Universitetit të Prishtinës, Afrim Hoti, si dhe presidentja e RIT Kosovo (AUK), Albina Balidemaj, duke sjellë kështu një përfaqësim të rëndësishëm të ekspertizës së arsimit të lartë në vend.

Në margjinat e këtij Forumi, sot është nënshkruar edhe marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Peçit, hap i rëndësishëm ky drejt ndërkombëtarizimit të mëtejshëm të arsimit të lartë.

wpChatIcon
wpChatIcon
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors