Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, mori pjesë në hapjen e Konferencës Shkencore “Përjetësimi i Heronjve dhe Dëshmorëve Kombëtarë për Çështjen e Kosovës 1980–1999”, të organizuar nga Instituti i Historisë “Ali Hadri”.
Në fjalën e tij, ministri Çeku theksoi se periudha 1980–1999 përfaqëson një kapitull të rëndësishëm të historisë moderne të Kosovës, të karakterizuar nga rezistenca, organizimi qytetar, qëndresa kulturore dhe sakrifica për liri. Ai nënvizoi se përgjegjësia institucionale nuk përfundon me nderimin ceremonial të heronjve dhe dëshmorëve, por vazhdon përmes kërkimit shkencor, dokumentimit, arsimit dhe kulturës, si forma të qëndrueshme të ruajtjes së kujtesës kolektive.
Ministri Çeku tha se universitetet, institutet shkencore, shkollat, arkivat, bibliotekat dhe muzetë kanë rol të pazëvendësueshëm në hulumtimin dhe ruajtjen e fakteve historike. “Në këtë drejtim, arsimi ka një mision të veçantë. Nxënësit dhe studentët tanë duhet të kenë mundësi ta njohin historinë e Kosovës jo si një rrëfim të largët, por si një përvojë njerëzore dhe shoqërore që ka formësuar shtetin dhe lirinë që gëzojmë sot. Kjo kërkon hulumtime cilësore, dokumentim, botime shkencore, projekte muzeale, ekspozita, programe edukative dhe bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të arsimit dhe kulturës”, u shpreh ai më tej.
Ai përgëzoi institutin për organizimin e kësaj konference që trajton një prej temave më të rëndësishme për shoqërinë tonë: mënyrën se si e ruajmë, studiojmë dhe e përjetësojmë kujtesën për ata që sakrifikuan për lirinë dhe të drejtën e Kosovës për vetëvendojse.
Drejtoresha e Institutit të Historisë “Ali Hadri”, Teuta Shala Peli, tha se konferenca tashmë është shndërruar në një aktivitet tradicional shkencor, përmes të cilit trajtohen ngjarjet dhe personalitetet që kontribuuan në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Ajo theksoi se pjesëmarrja e 71 studiuesve nga të gjitha hapësirat shqiptare dëshmon interesimin dhe përkushtimin për hulumtimin shkencor dhe dokumentimin e historisë më të re të Kosovës.
Konferenca dyditore synon të forcojë dialogun shkencor mbi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe të promovojë hulumtimet që ndriçojnë kontributin e heronjve dhe dëshmorëve në rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.