Ministri Çeku mori pjesë në aktivitetin rajonal për rezultatet e TALIS dhe rolin e mësimdhënësve në reformat arsimore

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, mori pjesë në aktivitetin rajonal “Rezultatet e OECD TALIS për vendet e Ballkanit Perëndimor – Mësimdhënësit si agjentë kyç të ndryshimit në reformat arsimore”, i cili u mbajt në Podgoricë të Malit të Zi.

Ky aktivitet, i organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit e Malit të Zi në bashkëpunim me OECD, UNICEF dhe Bashkimin Evropian, mblodhi ministra të arsimit, përfaqësues të institucioneve arsimore, ekspertë ndërkombëtarë dhe partnerë zhvillimorë nga rajoni dhe më gjerë.

Gjatë aktivitetit u prezantuan gjetjet kryesore të raportit TALIS (Teaching and Learning International Survey) për vendet e Ballkanit Perëndimor, me fokus në rolin e mësimdhënësve në zbatimin e reformave arsimore, mbështetjen profesionale për ta, si dhe politikat e bazuara në dëshmi për përmirësimin e cilësisë në arsim.

Ministri Çeku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në ndërtimin e politikave të qëndrueshme arsimore, duke vënë në pah përkushtimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për fuqizimin e mësimdhënësve dhe avancimin e reformave që rrisin cilësinë dhe gjithëpërfshirjen në sistemin arsimor në Kosovë.

Në kuadër të diskutimeve, pjesëmarrësit shkëmbyen përvoja dhe praktika të mira lidhur me zhvillimin profesional të mësimdhënësve, zbatimin e kurrikulave të reja dhe hartimin e strategjive efektive për reforma arsimore.

Pjesëmarrja e Ministrit Çeku në këtë aktivitet riafirmon angazhimin e Republikës së Kosovës për të qenë pjesë aktive e nismave rajonale dhe ndërkombëtare që kontribuojnë në avancimin e arsimit dhe fuqizimin e rolit të mësimdhënësve si bartës të ndryshimit.

wpChatIcon
wpChatIcon
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors