Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku bashkë me ministren në detyrë të Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci zhvilluan një takim të përbashkët me përfaqësues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave të Kosovës, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e shkencës, arsimit dhe kulturës.
Në takim morën pjesë delegacioni i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i udhëhequr nga Kryetari akademik Skënder Gjinushi, delegacioni i Akademisë së Shkencave të Kosovës, i udhëhequr nga Kryetarja akademike Justina Shiroka Pula, dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Ministri Çeku, vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve, veçanërisht ndërmjet dy akademive, si një kontribut thelbësor për avancimin e shkencës dhe mendimit akademik. Ai theksoi gatishmërinë për mbështetjen e vazhdueshme të projekteve të përbashkëta dhe nevojën për thellimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Skënder Gjinushi, dhe Kryetarja e Akademisë së Shkencave të Kosovës, akademike Justina Shiroka Pula, theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet dy akademive, si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të hapësirës së përbashkët shkencore shqiptare. Ata nënvizuan domosdoshmërinë e realizimit të projekteve të përbashkëta dhe koordinimit më të madh institucional.
Gjatë takimit u prezantuan dhe u diskutuan projektet aktuale dhe iniciativat e përbashkëta, si dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në të ardhmen në fushat e shkencës, arsimit dhe kulturës.