Në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, së bashku Kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu vizituan Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë, ku u mirëpritën për një bashkëbisedim nga nxënës të kësaj shkolle.
Gjatë bashkëbisedimit u diskutua për barazinë gjinore, respektin për njëri-tjetrin dhe të drejtave të njeriut, për rëndësinë e raportimit të çdo forme të dhunës dhe kërkimit të ndihmës pranë mekanizmave përkatës, si dhe rolin e secilit dhe përgjegjësinë e përbashkët për ndërtimin e marrëdhënieve të shëndosha dhe të një mjedisi të sigurt.
Përmes aktiviteteve të tilla, MASh synon të forcojë rolin e shkollës në ndërgjegjësimin dhe edukimin e të rinjve, dhe të kontribuojë në krijimin e një mjedisi shkollor të sigurt dhe gjithëpërfshirës për të gjithë nxënësit.