Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, së bashku me kryetarin e Parlamentit Studentor të Universitetit “Haxhi Zeka”, Jon Ademaj, kanë zhvilluar një bashkëbisedim me studentët e rajonit të Pejës, në kuadër të procesit të konsultimeve për hartimin e Strategjisë së Arsimit 2035+.
Temat kryesore që u diskutuan ishin ndërlidhja e programeve të studimit me nevojat e tregut të punës, kombinimi i dijes teorike me përvojën praktike gjatë studimeve, aktivizmin studentor për kushte e cilësi më të mira studimi dhe çështje të tjera me interes për reformën e arsimit të lartë në Kosovë.
Duke folur për rëndësinë e diskutimeve publike dhe përfshirjes së studentëve në procesin e hartimit të Strategjisë së re të Arsimit, ministri Çeku theksoi se qëllimi nuk është hartimi i një dokumenti strategjik që mbetet vetëm në letër, por ndërtimi i një strategjie që përcakton rrugën e përbashkët përpara dhe që gjen zbatim në praktikë. Prandaj është e rëndësishme që studentët të jenë pjesë e procesit, duke kontribuar me idetë dhe propozimet e tyre.
Kryetari i Parlamentit Studentor të Universitetit “Haxhi Zeka”, Jon Ademaj, e vlerësoi lartë përfshirjen e drejtpërdrejtë të studentëve në këtë proces, dhe u shpreh se ky cikël i bashkëbisedimeve është një rast i veçantë i konsultimit me studentëve ashtu që idetë dhe nevojat e tyre të merren parasysh gjatë hartimit të Strategjisë së Arsimit 2035+.
Gjatë bashkëbisedimit, studentët ndanë sugjerimet dhe përvojat e tyre lidhur me sfidat me të cilat përballen, cilësinë e studimeve, mundësitë për zhvillim akademik, si dhe organizimin dhe përfshirjen e praktikës profesionale gjatë studimeve të tyre.