MASH nis studimin për kompetencën digjitale të mësimdhënësve në Republikën e Kosovës

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), në partneritet me Fondacionin Evropian për Trajnime (ETF) dhe Drejtorinë e Përgjithshme për Arsim, Rini, Sport dhe Kulturë të Komisionit Evropian (DG EAC), mbajti sot takimin inaugurues të Studimit mbi Kompetencën Digjitale të Mësimdhënësve në Republikën e Kosovës.

Studimi do të realizohet përmes SELFIE for TEACHERS, instrument shumëgjuhësh online i Komisionit Evropian, i bazuar në Kornizën Evropiane për Kompetencën Digjitale të Edukatorëve (DigCompEdu). SELFIE for TEACHERS nuk është instrument për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve, por instrument për vetëreflektim, zhvillim profesional dhe përmirësim të vazhdueshëm të praktikës mësimore.

Në nivelin qeveritar, Ministria e Arsimit dhe Shkencës u përfaqësua nga zëvendësministri Përparim Kryeziu. Në fjalën e tij të hapjes, zëvendësministri Kryeziu theksoi rëndësinë e zhvillimit të kompetencave digjitale të mësimdhënësve dhe të përdorimit të të dhënave të besueshme për orientimin e politikave arsimore dhe mbështetjen e zhvillimit të tyre profesional.

Zëvendësministri Kryeziu vlerësoi se ky bashkëpunim përfaqëson një shembull konkret të orientimit të Republikës së Kosovës drejt standardeve dhe praktikave evropiane në arsim. Ai theksoi se transformimi digjital i arsimit nuk lidhet vetëm me teknologjinë, por, para së gjithash, me fuqizimin e mësimdhënësve, të cilët e bëjnë të mundur zhvillimin e arsimit çdo ditë.

Me fjalë mirëseardhjeje pjesëmarrësve iu drejtuan edhe Deirdre Hodson, zyrtare për politika në Komisionin Evropian, DG EAC, dhe Dr. Olena Bekh, eksperte e lartë për zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe udhëheqëse e ekipit në ETF.

Studimi synon përfshirjen e një grupi të gjerë dhe përfaqësues të mësimdhënësve nga arsimi fillor, arsimi i mesëm i ulët dhe arsimi i mesëm i lartë, përfshirë arsimin dhe aftësimin profesional. Përmes procesit të vetëreflektimit do të mblidhen të dhëna për kompetencat digjitale të vetëvlerësuara nga mësimdhënësit, me qëllim të identifikimit të nevojave dhe orientimit të mbështetjes së mëtejshme për zhvillimin e tyre profesional.

Alessandro Brolpito, ekspert i lartë për zhvillimin e kapitalit njerëzor në ETF, prezantoi qëllimin, metodologjinë dhe rëndësinë e studimit. Ai theksoi rolin thelbësor të mësimdhënësve si bartës të ndryshimit në transformimin digjital të arsimit, si dhe nevojën për njohjen më të mirë të kompetencave të tyre digjitale, në mënyrë që mbështetja dhe zhvillimi profesional të orientohen mbi bazën e të dhënave.

Shqipe Bruqi, ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Departamentit për Digjitalizimin e Arsimit në MASH, prezantoi ekosistemin digjital në shkolla dhe rolin e SELFIE for TEACHERS.

Duke folur për rëndësinë e procesit të vetëreflektimit, Shqipe Bruqi theksoi se ky proces nuk përfundon vetëm te mësimdhënësi, por krijon një ndërlidhje ndërmjet mësimdhënësit, shkollës, komunës dhe Ministrisë. Sipas saj, secili nivel ka rol të rëndësishëm në krijimin e një sistemi funksional për mbështetjen dhe zhvillimin profesional të mësimdhënësve.

Prof. Dr. Krenare Pireva Nuçi, nga Universiteti i Prishtinës, prezantoi zhvillimet e reja në fushën e pedagogjisë digjitale në Republikën e Kosovës, përfshirë programin e ri EdTech në kuadër të Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës.

Përdorimi praktik i instrumentit SELFIE for TEACHERS u demonstrua nga Prof. Dr. Besnik Krasniqi, ekspert kombëtar, së bashku me Prof. Dr. Krenare Pireva Nuçi. Në kuadër të takimit u zhvillua edhe një diskutim me pjesëmarrësit, ndërsa bashkëbisedimi përmes platformës online u monitorua nga Leon Shabani.

Në pjesën përmbyllëse, Veton Alihajdari, udhëheqës i Divizionit për Administrimin e Platformave Digjitale në MASH, dhe Matthias Themel, ekspert për zhvillimin e kapitalit njerëzor në ETF, prezantuan hapat e ardhshëm dhe orientimet praktike për zbatimin e studimit.

Secili mësimdhënës i përfshirë në studim do të pranojë një ftesë të personalizuar për pjesëmarrje. Dritarja për plotësimin e instrumentit të vetëreflektimit do të mbetet e hapur për 21 ditë nga dita e pranimit të ftesës së personalizuar.

Të dhënat do të mblidhen dhe do të trajtohen në mënyrë anonime. Procesi i mbledhjes dhe përpunimit të tyre do të zhvillohet duke respektuar parimet dhe kërkesat për privatësi dhe mbrojtjen e të dhënave, përfshirë Rregulloren e Përgjithshme të Bashkimit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave, GDPR, si dhe Ligjin nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Republikën e Kosovës.

Rezultatet e studimit pritet të ofrojnë një bazë të rëndësishme për identifikimin e nevojave të mësimdhënësve, zhvillimin e politikave të mbështetura në të dhëna dhe planifikimin e masave të mëtejshme për zhvillimin e kompetencave digjitale në sistemin arsimor të Republikës së Kosovës.

wpChatIcon
wpChatIcon
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors