Në Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës, u mbajt një bashkëbisedim mes studentëve, stafit dhe Ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, lidhur me zhvillimin e industrisë së mbrojtjes së Kosovës dhe mundësit që ky sektor ofron për kuadrot e reja profesionale.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Arta Berisha, këshilltare e Ministrit në detyrë të Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çekut.
Gjatë diskutimit u prezantuan mundësitë që industria e mbrojtjes ofron për studentët e katër fakulteteve: Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike (FIM), Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore (FSHMN) dhe Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Inxhinierisë (FIN), me fokus të veçantë në angazhimin e tyre të drejtpërdrejtë në projektin e fabrikës së parë të municioneve në Kosovë.
Po ashtu, u theksua se profilet në fushat e inxhinierisë mekanike, elektrike, kompjuterike, mekatronikës dhe robotikës janë parësore në ngritjen e kapaciteteve tona prodhuese dhe mbrojtëse.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës, rikonfirmon bashkërendimin e plotë mes arsimit të lartë dhe industrisë së mbrojtjes, duke u garantuar studentëve tanë hapësira konkrete për zhvillim profesional.