Konsultime me mësimdhënësit e rajonit të Ferizajt për hartimin e Strategjisë së Arsimit 2035+

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh), në bashkëpunim me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), mbajti në Shtime takimin rajonal me mësimdhënësit e rajonit të Ferizajt, në kuadër të konsultimeve për hartimin e Strategjisë së Arsimit 2035+.

Në takim morën pjesë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, përfaqësues të Ministrisë dhe të SBAShK-ut, drejtues të institucioneve arsimore, si dhe mësimdhënës e punëtorë të arsimit nga rajoni i Ferizajt.

Ministri Çeku theksoi se përfshirja e mësimdhënësve në hartimin e strategjisë është thelbësore për përcaktimin e prioriteteve që u përgjigjen nevojave reale të sistemit arsimor. Ai vuri në pah rëndësinë e përvojës dhe të propozimeve të tyre për hartimin e reformave të zbatueshme, që mbështesin punën në shkolla dhe përmirësojnë cilësinë e arsimit. Ai theksoi se ngritja e cilësisë në arsim duhet të shoqërohet me fuqizimin e pozitës së mësimdhënësve.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të punëtorëve të arsimit në këtë proces dhe të vazhdimit të dialogut me Ministrinë, me qëllim adresimin e sfidave dhe avancimin e arsimit.

Gjatë bashkëbisedimit u trajtuan cilësia në arsim, kushtet e punës dhe të mësimdhënies, zhvillimi profesional dhe mbështetja e mësimdhënësve, mirëqenia e punëtorëve të arsimit, autonomia dhe zhvillimi i shkollës, mësimi tërëditor, kurrikula, digjitalizimi dhe financimi i arsimit.

Mësimdhënësit paraqitën shqetësimet dhe sfidat me të cilat përballen në punën e përditshme, si dhe propozime konkrete për përmirësimin e sistemit arsimor.

MASh dhe SBAShK sot zhvillon ciklin e konsultimeve me mësimdhënësit e rajonit të Prishtinës, me qëllim që hartimi i strategjisë të mbështetet në kontributin e drejtpërdrejtë të mësimdhënësve dhe të komunitetit arsimor.

wpChatIcon
wpChatIcon
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors