Hapet Seminari i 44-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Seminarit të 44-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili po mbahet në Prishtinë nga 17 deri më 28 gusht. Në ceremoninë hapëse mori pjesë edhe u.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me studiues, albanologë, profesorë, studentë dhe dashamirës të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare nga Kosova, Shqipëria dhe mërgata.

Mnistri Çeku theksoi se Seminari mbetet një hapësirë e rëndësishme e bashkëpunimit shkencor e kulturor, duke vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Tiranës. Ai theksoi se përmes programit të pasur me kurse të gjuhës, ligjërata, sesione shkencore, tryeza dhe aktivitete kulturore, shqipja trajtohet si sistem gjuhësor, dhe si bartëse e historisë, identitetit dhe krijimtarisë shqiptare.

“Një vend të veçantë në edicionin e sivjetmë zë 300-vjetori i arbneshëve të Zarës, si dhe përfshirja e arbëreshëve të Italisë dhe shqiptarëve të Mandricës së Bullgarisë, duke vënë në pah përpjekjet e këtyre komuniteteve për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar ndër breza”, tha ministri. Në këtë drejtim, ministri Çeku theksoi rëndësinë e dokumentimit, studimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm për ruajtjen e kësaj trashëgimie.

Ndërkaq në fjalën e saj, u.d. Presidentja Haxhiu theksoi rëndësinë e Seminarit në ruajtjen, zhvillimin dhe promovimin e gjuhës shqipe, dhe nevojën që shqipja të jetë e pranishme edhe në hapësirat digjitale e teknologjike. Ajo vlerësoi kontributin e studiuesve, albanologëve dhe seminaristëve në hulumtimin, dokumentimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe, si dhe shprehu gatishmërinë për mbështetje institucionale në këtë drejtim.

Në ceremoninë hapëse me fjalë rasti u janë drejtuar të pranishmëve edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës, Mark Marku, dhe drejtoresha e Seminarit, Lindita Sejdiu.

Seminari do të vijojë deri më 28 gusht me një program të pasur shkencor, kulturor dhe artistik, duke bashkuar studiues, profesorë, studentë dhe seminaristë nga Kosova, Shqipëria, mërgata dhe vende të tjera.

wpChatIcon
wpChatIcon
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors