Hapet Instituti i Farmacisë në Universitetin e Prishtinës 

Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” u bë sot hapja zyrtare e Institutit të Farmacisë, një hap i rëndësishëm për zhvillimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Kosovë. 

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku e cilësoi këtë si një moment të rëndësishëm që forcon lidhjen mes arsimit, profesionit dhe nevojave të shoqërisë, duke theksuar se instituti do të kontribuojë në prodhimin e dijes përmes kërkimit, analizës dhe praktikës. 

“Kemi përcaktuar qartë rritjen e mbështetjes për shkencën dhe orientimin e universiteteve drejt modernizimit kërkimor dhe aplikativ. Instituti i Farmacisë është pikërisht një shembull i kësaj qasjeje. Ai krijon mundësi që universiteti të mos jetë vetëm vend i transmetimit të dijes, por vend ku dija prodhohet përmes kërkimit, analizimit, bashkëpunimit dhe praktikës”, tha Çeku. 

Ai nënvizoi se në sektorin e farmacisë kërkimi shkencor është thelbësor për cilësinë e shërbimeve shëndetësore, sigurinë e barnave dhe zhvillimin e industrisë farmaceutike. 

Ndërsa rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu theksoi përgjegjësinë e përbashkët për garantimin e cilësisë së barnave, duke shtuar se qytetarët e Kosovës meritojnë produkte të sigurta dhe të verifikuara. 

Instituti i Farmacisë pritet të shërbejë si urë lidhëse mes arsimit, kërkimit dhe tregut të punës, si dhe të bëhet pikë referimi për zhvillimin e sektorit farmaceutik në vend.

wpChatIcon
wpChatIcon
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors