Ka nisur punimet Seminari XIX Mbarëkombëtar me mësuesit e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe në mërgatë, organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Arsimit e Republikës së Shqipërisë.
Seminari i këtij viti zhvillohet me temë: “Motivimi i nxënësve në diasporë për mësimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e identitetit kombëtar”, dhe do të zgjasë deri më 31 korrik, duke mbledhur mbi 200 mësimdhënës të gjuhës shqipe nga diaspora për shkëmbyer përvojat dhe praktikat e tyre në mësimdhënie.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë, ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Kosovës, Hajrulla Çeku, zëvendësministrja e Arsimit të Republikës së Shqipërisë, Orjana Osmani, mësimdhënës nga diaspora si dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore.
Në fjalën e tij, ministri Hajrulla Çeku tha se mërgata mbetet pjesë e pandashme e Kosovës dhe një urë e rëndësishme lidhëse me botën duke theksuar se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa konkret për forcimin e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë përmes hartimit të teksteve të përbashkëta me Shqipërinë, trajnimit të mësimdhënësve, zgjerimit të ekskurzioneve për fëmijët e mërgatës dhe zhvillimit të platformave digjitale. Ai bëri të ditur se rreth 800 mësues dhe 23 mijë nxënës mësojnë shqip jashtë kufijëve tanë.
Ndërsa, zëvendësministrja Orjana Osmani vlerësoi rolin e pazevendesueshëm të mësuesve të diasporës në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe duke theksuar se gjuha mbahet gjallë nga njerëzit që ja përcjellin atë brezave të rinj. Ajo përmendi edhe forcimin e politikave për mësimin e gjuhës shqipe dhe krijimin e Agjencisë Kombëtare për Gjuhën Shqipe e cila do të kontribuojë në zhvillimin dhe promovimin afatgjatë të gjuhës shqipe.
Një fjalë përshëndetëse para të pranishmëve e mbajti edhe mësuesja nga Italia Dila Rrapi, e cila për 10 vite kontribuon si mësuese vullnetare në mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë.
Gjatë ditëve të Seminarit do të zhvillohen punëtori dhe diskutime tematike, ku do të trajtohen metodat bashkohore të mësimdhënies, motivi i nxënësve për të mësuar gjuhën shqipe, si dhe sfidat dhe mundësitë për ruajtjen e identitetit kombëtar në diasporë.