Fillon cikli i diskutimeve me mësimdhënës për Strategjinë e re të Arsimit, ministri Çeku viziton komunën e Gjilanit

Në Gjilan, ka nisur cikli i diskutimeve me mësimdhënës në të gjithë rajonet e vendit për Strategjinë e re të Arsimit 2035+, në një organizim të përbashkët të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK).

Diskutimi përfshiu mësimin tërëditor, pozitën dhe mbështetjen profesionale të mësimdhënësve, autonominë e shkollës, programin kombëtar për lexim dhe matematikë, kurrikulën dhe materialet mësimore, digjitalizimin, formulën e financimit, riorganizimin e rrjetit shkollor dhe dialogun social.

Ministri nënvizoi rëndësinë e diskutimit të hapur dhe të vendimmarrjes së përbashkët për ndryshimet që i nevojiten arsimit. Ministri Çeku theksoi se Strategjia do të hartohet me përfshirjen e mësimdhënësve dhe akterëve të tjerë, duke vendosur cilësinë e arsimit dhe interesin e nxënësve në qendër të reformave.

Paraprakisht, gjatë qëndrimit në Gjilan, ministri Çeku zhvilloi disa vizita në institucionet arsimore në komunën e Gjilanit.

Fillimisht, bashkë me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, zëvendësministrin e Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, dhe Drejtorin e Arsimit në Gjilan, Jeton Rexhepi, vizituan çerdhen “Qarku 1” në Lagjen 8, e cila së shpejti pritet të hapë dyert për fëmijët.

Gjatë vizitës u theksua se investimet në infrastrukturë po shoqërohen me angazhimin për zbatimin e kurrikulës së re, trajnimin dhe mbështetjen profesionale të edukatoreve, monitorimin e performancës dhe fuqizimin e kujdesit shëndetësor për fëmijët, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.

Pastaj, bashkë me kryetarin e SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, vizitoi Universitetin “Kadri Zeka”, ku u prit nga menaxhmenti i ri, i udhëhequr nga ushtruesja e detyrës së rektores, Fitore Malaj. Në takim u diskutua për buxhetin, infrastrukturën, personelin, planin zhvillimor dhe adresimin e sfidave të universitetit.

Ministri Çeku nënvizoi përkushtimin për fuqizimin e universiteteve publike dhe reformën e arsimit të lartë në kuadër të Strategjisë së Arsimit 2035+, përmes ristrukturimit të institucioneve dhe programeve universitare, ngritjes së cilësisë dhe lidhjes më të fortë të kërkimit shkencor me industrinë dhe prioritetet zhvillimore të vendit.

Në prag të bashkëbisedimit me mësimdhënës, ministri Çeku gjithashtu vizitoi Shkollën e Muzikës, institucioni mikpritës i organizimit të përbashkët me SBAShK-un, me ç’rast takoi Drejtorin e Shkollës së Muzikës, Kushtrim Jakupi dhe Drejtorin e Shkollës së Artit Pamor, Roland Masurica.

Përveç mirëseardhjes, drejtori Jakupi shprehu edhe mirënjohjen e tij për mbështetjen më të fundit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës me pajisje profesionale muzikore, duke e kompletuar kështu Studion Muzikore të shkollës. Kjo studion do të shërbejë si hapësirë e re krijuese për nxënësit e kësaj shkolle.

Me rastin e vizitës, ministri pa nga afër mjediset e shkollës, në të cilën funksionon edhe Shkolla e Mesme e Artit Pamor “Adem Kastrati”, dhe u njoftua për punën, planet dhe rezultatet e saj.

wpChatIcon
wpChatIcon
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors