Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku dhe ish-ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci morën pjesë në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së shtatë të kualifikimit të nivelit të pestë “Asistent për Fëmijë/Nxënës me Nevoja të Veçanta Arsimore”.
Kryeministri Kurti tha se diplomimi i 270 asistentëve për fëmijë dhe nxënës me nevoja të veçanta arsimore përfaqëson një arritje të rëndësishme për arsimin gjithëpërfshirës në Kosovë dhe është dëshmi e përkushtimit institucional për mbështetjen e çdo fëmije. Ai theksoi se profesioni i asistentit kërkon jo vetëm dije profesionale, por edhe zemër, durim dhe përkushtim, pasi roli i tyre është thelbësor për t’i ndihmuar fëmijët të ndihen të barabartë, të përfshihen në procesin mësimor dhe të zhvillojnë vetëbesimin e tyre.
Më tej, kryeministri vlerësoi investimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në zgjerimin e programit dhe punësimin e asistentëve në shkolla, duke theksuar se çdo fëmijë meriton të ndihet i pranuar, i respektuar dhe i mbështetur në shkollë. Ai i inkurajoi të diplomuarit që profesionin ta ushtrojnë me krenari, profesionalizëm dhe përkushtim ndaj fëmijëve dhe familjeve të tyre.
Ndërkaq, drejtoresha e Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur, Fikrije Zymberi, tha se diplomimi i gjeneratës së shtatë të asistentëve për fëmijë me nevoja të veçanta arsimore dëshmon suksesin e programit dhe përkushtimin institucional për arsimin gjithëpërfshirës, dhe vlerësoi mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe rolin e të diplomuarve në mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore.