Në kuadër të ciklit të bashkëbisedimeve me prindër për hartimin e Strategjisë së Arsimit 2035+, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, së bashku me kryetarin e Këshillit të Prindërve të Kosovës, Besnik Dragusha, kanë zhvilluar një takim me prindër të rajonit të Gjakovës.
Gjatë vizitës në Gjakovë, ministri Çeku, së bashku me zëvendësministrin e Arsimit, Muhedin Nushi, kanë vizituar shkollën e re në fshatin Ponoshec, investim i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, e cila së shpejti do të mirëpresë nxënësit në hapësira të reja shkollore. Ata kanë vizituar edhe Bibliotekën “Ibrahim Rugova” në Gjakovë, ku janë njohur më nga afër me punën dhe aktivitetet e saj.
Ndërsa, gjatë bashkëbisedimit me prindër, ministri Çeku theksoi rëndësinë e përfshirjes së prindërve në hartimin e Strategjisë së Arsimit 2035+, në mënyrë që prioritetet dhe objektivat e saj të reflektojnë nevojat e nxënësve dhe të komunitetit arsimor. Ai vlerësoi se prindërit janë partnerë të pazëvendësueshëm për një arsim më cilësor.
Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Besnik Dragusha, theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së prindërve në diskutimet për të ardhmen e arsimit, duke vlerësuar kontributin e tyre në hartimin e Strategjisë së re.
Gjatë bashkëbisedimit, prindërit ndanë përvojat, shqetësimet dhe pritjet e tyre lidhur me zhvillimin e arsimit, duke kontribuar me perspektivat e tyre në procesin e hartimit të Strategjisë së Arsimit 2035+.
Cikli i bashkëbisedimeve me prindër në rajone të ndryshme të Kosovës është pjesë e procesit konsultativ për hartimin e Strategjisë së Arsimit 2035+. Pas takimit në Gjakovë, bashkëbisedimi do të vazhdojë me prindërit e rajonit të Pejës.