Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, së bashku me kryetarin e Këshillit të Prindërve të Kosovës, Besnik Dragusha zhvilluan bashkëbisedim me prindërit e rajonit të Prizrenit, në kuadër të procesit të hartimit të Strategjisë së Arsimit 2035+. Në këtë takim morën pjesë edhe zëvendësministri Përparim Kryeziu, Sekretari i Përgjithshëm Naim Gashi dhe eksperti i jashtëm për planifikim strategjik, Jeton Mehmeti.
Ministri Çeku theksoi rëndësinë e përfshirjes së prindërve në diskutimet për të ardhmen e arsimit, dhe se adresimi i sfidave kërkon një angazhim të përbashkët. Ai u shpreh se reforma e arsimit ka nevojë për përfshirjen aktive të prindërve, andaj dhe po organizohen takime në të gjitha rajonet e Kosovës, me bindjen se shkolla më e mirë ndërtohet edhe përmes bashkëpunimit të ngushtë mes prindërve, mësimdhënësve dhe institucioneve
Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Besnik Dragusha, potencoi se bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet prindërve dhe institucioneve është i domosdoshëm për përmirësimin e sistemit arsimor.
Prindërit ndanë përvojat dhe pikëpamjet e tyre lidhur me zhvillimet në sistemin arsimor, duke kontribuar me rekomandime dhe propozime që mund të shërbejnë në përmirësimin e kushteve për nxënësit. Përfshirja e tyre në këtë proces synon që Strategjia e Arsimit 2035+ të ndërtohet dhe të zbatohet nga i gjithë komuniteti arsimor.
Gjatë vizitës në Prizren, ministri Çeku së bashku me zëvendësministrin Kryeziu vizituan çerdhen në fshatin Korishë, që është në fazën finale të ndërtimit, e ku u njohën nga afër me ecurinë e punimeve. Edukimi dhe kujdesi në fëmijërinë e hershme është një nga shtyllat e Strategjisë së re të Arsimit, që ka për qëllim qasjen e fëmijëve në edukim të hershëm dhe shërbime cilësore.