Ministri Çeku nisi në Prishtinë konsultimet me studentët për Strategjinë e Arsimit 2035+

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, nisi në Prishtinë ciklin e takimeve konsultative me studentët për hartimin e Strategjisë së Arsimit 2035+, me qëllim përfshirjen e pikëpamjeve, përvojave dhe rekomandimeve të tyre në përcaktimin e prioriteteve për zhvillimin e arsimit në Kosovë. Në takim mori pjesë edhe kryetari i Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës, Flon Kastrati.

Në fjalën e tij, ministri Çeku theksoi se përparimi i arsimit kërkon angazhimin e përbashkët të institucioneve dhe të gjithë shoqërisë. Ai nënvizoi se pjesëmarrja e studentëve është thelbësore për hartimin e një strategjie që pasqyron nevojat reale të arsimit të lartë dhe ofron zgjidhje për sfidat e tij.

Ministri Çeku i ftoi studentët që, krahas kërkesave dhe shqetësimeve për kushtet e studimit, të kontribuojnë me ide dhe propozime konkrete për të ardhmen e universiteteve dhe përmirësimin e cilësisë së studimeve.

Në fokus të fjalës së tij ishte nevoja për të shqyrtuar cilësinë dhe ofertën e programeve universitare, përgatitjen e të diplomuarve për jetën profesionale dhe përputhjen e njohurive e shkathtësive të fituara gjatë studimeve me kërkesat e tregut të punës. Ministri theksoi se studimet duhet t’u shërbejnë të rinjve për punësim në profesion, pavarësi ekonomike dhe përmirësim të mirëqenies së tyre.

Për të orientuar bashkëbisedimin, ministri Çeku i ftoi studentët të ndajnë përvojat e tyre lidhur me përgatitjen që ofrojnë studimet për jetën profesionale, mjetet e nevojshme për të mësuar dhe mundësitë për hulumtim. Ai kërkoi të dëgjojë për pengesat që hasin në ndjekjen dhe përfundimin e studimeve, përvojën e tyre të përditshme në universitet dhe fakultet, si dhe nëse zëri i tyre dëgjohet mjaftueshëm dhe nëse kanë mundësi të barabarta për të ecur përpara.

Studentët u ftuan të ndajnë shqetësimet dhe rekomandimet e tyre për përmirësimin e përvojës universitare dhe zhvillimin e arsimit të lartë.

Takimi në Prishtinë pason konsultimet me mësimdhënësit, drejtuesit e universiteteve dhe prindërit. Bashkëbisedimet me studentët do të vijojnë në Gjilan dhe në rajonet e tjera të Kosovës, në funksion të hartimit të një strategjie gjithëpërfshirëse për arsimin.

wpChatIcon
wpChatIcon
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors