Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh), në bashkëpunim me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), ka zhvilluar në Pejë takimin e dytë rajonal me mësimdhënësit në kuadër të konsultimeve për hartimin e Strategjisë së Arsimit 2035+, pas takimit të parë të mbajtur në Gjilan.
Në takim morën pjesë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, përfaqësues të Ministrisë dhe të SBAShK-ut, drejtues të institucioneve arsimore, si dhe mësimdhënës e punëtorë të arsimit nga rajoni i Pejës.
Ministri Çeku theksoi se përfshirja e mësimdhënësve është thelbësore për hartimin e një strategjie që pasqyron nevojat reale të sistemit arsimor. Ai vuri në pah rëndësinë e një procesi gjithëpërfshirës, ku përvoja dhe propozimet e mësimdhënësve kontribuojnë në përcaktimin e prioriteteve dhe në ndërtimin e reformave të zbatueshme.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, theksoi rolin e punëtorëve të arsimit në këtë proces dhe rëndësinë e vazhdimit të dialogut dhe bashkëpunimit me Ministrinë për avancimin e arsimit.
Gjatë bashkëbisedimit u trajtuan cilësia në arsim, kushtet e punës dhe të mësimdhënies, zhvillimi profesional dhe mbështetja e mësimdhënësve, mirëqenia e punëtorëve të arsimit, autonomia dhe zhvillimi i shkollës, kurrikula, digjitalizimi dhe financimi i arsimit.
Mësimdhënësit paraqitën shqetësimet dhe sfidat me të cilat përballen në punën e përditshme, si dhe propozime konkrete për përmirësimin e sistemit arsimor dhe për prioritetet që duhet të përfshihen në Strategjinë e Arsimit 2035+.
MASh dhe SBAShK do të vazhdojnë konsultimet në rajonet e tjera të Kosovës, me qëllim që hartimi i strategjisë të mbështetet në kontributin e drejtpërdrejtë të mësimdhënësve dhe të komunitetit arsimor.