Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, mori pjesë në Konferencën e Katërt Ndërkombëtare të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, me temën “Sigurimi i brendshëm i cilësisë në institucionet e arsimit të lartë: Nga vlerësimi te kultura e cilësisë”.
Konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë, agjencive të sigurimit të cilësisë nga vendet partnere, ekspertë, profesorë dhe studentë, për të diskutuar mënyrat se si vlerësimi i jashtëm dhe sistemet e brendshme mund të nxisin përmirësimin e vazhdueshëm të arsimit të lartë.
Në fjalën e tij, ministri Çeku tha se Kosova synon që universitetet e saj të jenë pjesë e njohur e Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë dhe të veprojnë sipas standardeve të saj. Ai vlerësoi regjistrimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, si dhe njohjen e saj këtë vit nga Council for Higher Education Accreditation në Shtetet e Bashkuara. Sipas ministrit, këto arritje dëshmojnë se institucionet e Kosovës mund të fitojnë besimin ndërkombëtar përmes standardeve të qarta dhe punës profesionale.
Ministri theksoi se cilësia e arsimit të lartë është interes i gjithë Republikës së Kosovës dhe se vendimet profesionale duhet të mbështeten në ekspertizë e meritë. Ai tha se pozicioni dhe pavarësia profesionale e Agjencisë janë forcuar me ligj, në mënyrë që gjykimi akademik dhe vendimmarrja e saj të mbrohen nga ndërhyrjet.
Duke folur për zhvillimin e arsimit të lartë në dekadën e ardhshme, ministri Çeku theksoi nevojën për misione më të qarta të universiteteve, financim publik në shërbim të cilësisë, fuqizim të kërkimit shkencor dhe lidhje më të drejtpërdrejta me tregun e punës e shoqërinë. Ai tha se Universiteti i Prishtinës duhet të fuqizohet si universiteti kryesor, ndërsa universitetet e tjera publike të ndërtojnë profile të qarta në përputhje me nevojat zhvillimore të vendit.
Në lidhje me temën e konferencës, ministri Çeku theksoi se akreditimi i jashtëm është mekanizëm i rëndësishëm, por cilësia krijohet brenda universiteteve. Ai u bëri thirrje institucioneve të arsimit të lartë që cilësinë ta kenë pjesë të punës së përditshme, jo vetëm përgatitje për procesin e akreditimit.
Në hapje të konferencës, fjalë përshëndetëse mbajtën edhe kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Avni Berisha dhe ambasadori i Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të AKA-së, Arianit Krasniqi, prezantoi punën dhe arritjet e fundit të Agjencisë, drejtoresha e ENQA-s, Anna Gover foli për perspektivat evropiane mbi rolin dhe arritjet e agjencive të sigurimit të cilësisë në forcimin e kulturës së cilësisë në institucionet e arsimit të lartë, ndërsa ish-kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Hasnije Ilazi foli për rolin e AKA-së në zhvillimin dhe vlerësimin e sistemeve dhe praktikave të brendshme të sigurimit të cilësisë.
Konferenca zhvillohet në kuadër të projektit SHER, me financim nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim.