Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, mori pjesë në prezantimin e gjetjeve të Anketës së Treguesve të Shumëfishtë (MICS) 2025, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në partneritet me UNICEF-in në Kosovë, Zyrën Zvicerane për Bashkëpunim – Ambasadën e Zvicrës në Kosovë, dhe Zyrën e Koordinatorit për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe UNFPA.
Në këtë aktivitet morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, Koordinatori i Zhvillimit i OKB-së në Kosovë, Stephen O’Malley, Shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko, si dhe përfaqësues të institucioneve, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve zhvillimorë.
Duke bërë krahasime ndërmjet viteve 2014, 2020 dhe vitin 2025, kryeministri Kurti tha se të dhënat që prezantohen sot na japin arsye për të qenë optimist, për faktin se në shumë prej treguesve që lidhen me shëndetin, zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve, Kosova ka shënuar përparim të rëndësishëm. Ai përmendi mbështetjen e Qeverisë ndër vite për nënat lehona dhe shtesat për fëmijë, duke thënë se kemi investuar në edukimin në fëmijërinë e hershme, kemi mbështetur programe për zhvillimin dhe intervenimin e hershëm dhe kemi krijuar më shumë mundësi për të rinjtë përmes politikave të punësimit dhe të aftësimit.
Gjetjet e MICS 2025 tregojnë përparim të rëndësishëm në edukimin në fëmijërinë e hershme dhe në gatishmërinë e fëmijëve për shkollë. Pjesëmarrja e fëmijëve të moshës 3–4 vjeç në edukim të fëmijërinë e hershme është rritur për më shumë se dyfish, nga 15 për qind në vitin 2020 në 36 për qind në vitin 2025. Ky progres është rezultat konkret i politikave qeverisëse dhe prioritizimit të edukimit në fëmijëri të hershme gjatë mandatit të kaluar të plotë.
Përparim i vazhdueshëm është shënuar edhe në gatishmërinë për shkollë. Sipas rezultateve të anketës, 92 për qind e fëmijëve fillojnë shkollën të gatshëm për të mësuar, krahasuar me 88 për qind në vitin 2020 dhe 76 për qind në vitin 2014.
Megjithë progresin e shënuar, rezultatet evidentojnë se vazhdojnë të ekzistojnë pabarazi në qasjen dhe pjesëmarrjen në arsim. Në veçanti, pjesëmarrja në edukimin në fëmijërinë e hershme te fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë mbetet rreth 7 për qind, ndërsa vijueshmëria e tyre në shkollë bie nga 83 për qind në arsimin fillor në 27 për qind në arsimin e mesëm të lartë.
MICS është një program global i anketave të ekonomive familjare i zhvilluar dhe mbështetur nga UNICEF-i, i cili prodhon të dhëna statistikisht të besueshme dhe ndërkombëtarisht të krahasueshme për fëmijët, gratë dhe ekonomitë familjare. MICS 2025 bazohet në afro 14,000 intervista të realizuara në 6,928 ekonomi familjare përmes dy anketave të ndara. Të dhënat mund të ndahen sipas vendbanimit, seksit, moshës, arsimit, pasurisë, përkatësisë etnike dhe statusit të aftësisë së kufizuar, duke ndihmuar institucionet të shohin përtej mesatareve dhe të identifikojnë vendet ku pabarazitë vazhdojnë. Treguesit e saj mund të mbështesin vendimmarrjen politike dhe buxhetore, të forcojnë llogaridhënien dhe të monitorojnë progresin ndaj zotimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës do t’i përdorë këto të dhëna si bazë të rëndësishme për avancimin e politikave arsimore, me fokus në zgjerimin e përfshirjes në edukimin në fëmijërinë e hershme, rritjen e cilësisë dhe gjithëpërfshirjes, si dhe zvogëlimin e pabarazive, në mënyrë që secili fëmijë të ketë mundësi të barabarta për zhvillim, mësim dhe sukses në arsim.