Lansohet Udhërrëfyesi Digjital “Nga qasja digjitale te kompetencat digjitale: Analizë gjithëpërfshirëse e integrimit të kompetencave digjitale në sistemin e arsimit parauniversitar në Kosovë”

Zëvendësministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu mori pjesë në ngjarjen e përbashkët të UNICEF-it, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASh) dhe Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike (MDPA), me rastin e publikimit të studimit “Nga qasja digjitale te kompetenca digjitale: Analizë gjithëpërfshirëse e integrimit të kompetencave digjitale në sistemin e arsimit parauniversitar në Kosovë” – një udhërrëfyes për reformën e arsimit digjital në Kosovë.

Studimi i prezantuar sot ofron një analizë gjithëpërfshirëse të zhvillimit të kompetencave digjitale në arsimin parauniversitar, duke shqyrtuar shkathtësitë digjitale të nxënësve dhe mësimdhënësve, integrimin në kurrikulë, politikat ekzistuese, infrastrukturën dhe gatishmërinë institucionale.

Në ngjarje morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, partnerë zhvillimorë dhe profesionistë të arsimit, të cilët diskutuan hapat e ardhshëm për transformimin digjital të arsimit dhe zhvillimin e kompetencave digjitale të nxënësve dhe mësimdhënësve.

Ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëgzon Jagxhiu, në fjalën e tij, theksoi se digjitalizimi i arsimit është një nga shtyllat kryesore të transformimit digjital të vendit, duke kontribuar në një arsim cilësor dhe më efektiv.

“Në qendër të transformimit digjital të arsimit nuk duhet të jetë teknologjia, por nxënësi dhe mësimdhënësi. Qëllimi është që teknologjia të na ndihmojë të kemi arsim më cilësor, më gjithëpërfshirës dhe që i përgatit të rinjtë tanë për të ardhmen”, potencoi ministri.

Ndërsa, zëvendësministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu tha se Udhërrëfyesi për Reformën e Arsimit Digjital po publikohet në kohë shumë të përshtatshme, teksa ka filluar procesi i hartimi i Strategjisë së re 10-vjeçare në Arsim. Ai vlerësoi se digjitalizimi dhe kompetencat digjitale janë pjesë e domosdoshme e arsimit cilësor dhe përgatitjes së nxënësve për shkollim, tregun e punës dhe qytetari, prandaj digjitalizimi, si një nga pesë shtyllat e strategjisë aktuale, do të jetë tema kryesore horizontale në strategjinë e re 10-vjeçare e cila i prekë të gjitha nivelet: nga Edukimi në fëmijëri të hershme dhe klasat 1-12, deri te arsimi profesional, arsimi i lartë e shkenca.

“Digjitalizimin e shohim si nevojë të kohës por edhe si mundësi: mundësi për kapërcim në cilësi dhe qasje, dhe më shumë barazi dhe gjithëshpërfshirje brenda për brenda sistemit tonë arsimor. Udhërrëfyesi na ofron një bazë të mirë për vendimmarrje për ta kapitalizuar këtë mundësi”, u shpreh ai.

Shefja e Zyrës së UNICEF në Kosovë, Veronika Vashchenko theksoi se fëmijët dhe të rinjtë tashmë po rriten në një botë digjitale, ku vetëm qasja në teknologji nuk mjafton, duke shtuar se “çdo fëmijë ka nevojë për mundësi për të zhvilluar kompetenca digjitale kritike, i mbështetur nga mësimdhënës që kanë vetëbesim në përdorimin kuptimplotë të teknologjisë dhe nga sisteme arsimore që nxisin mjedise të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe efektive të të nxënit”.

Në kuadër të kësaj ngjarjeje, Krenare Pireva Nuçi, Prof. Asistente e Fakultetit të Edukimit, si një nga dy autorët e analizës, prezantoi atë, duke përmendur integrimin e kompetencave digjitale në arsimin parauniversitar, me fokus të veçantë mënyrën se si aftësitë digjitale reflektohen në kurrikulë, për të kontribuar në zhvillimin e nxënësve në aspektin digjital, dhe prezantoi rekomandimet e dala nga analiza.

wpChatIcon
wpChatIcon
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors