Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Kërkimeve në Arsimin e Kosovës (KICER), organizuar nga Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës, e cila këtë vit shënoi edicionin e saj të gjashtë.
Në fjalën e tij, ministri Çeku theksoi rëndësinë e kësaj Konference si një nga forumet më të rëndësishme arsimore në vend, duke vlerësuar rolin e saj në shkëmbimin e përvojave, analizimin e sfidave dhe arritjeve, si dhe në projektimin e së ardhmes së shkollave dhe universiteteve në Kosovë.
Duke folur për reformat në arsim, ministri Çeku theksoi se Fakulteti i Edukimit është një nga shtyllat kryesore ku formohen mësimdhënësit e brezave të rinj dhe ku nisin ndryshimet më të rëndësishme në sistem.
“Kjo konferencë, e cila po organizohet nga Fakulteti i Edukimit, pikërisht zë vendin aty ku nisin ndryshimet; aty ku formohen dhe përgatiten mësimdhënësit e brezave të rinj. Kjo platformë duhet të kontribuoi në bashkëprodhimin e politikave tona shtetërore. Temat që do të trajtoni këto dy ditë janë shtyllat mbi të cilat po vijojmë reformat tona”, u shpreh ministri Çeku.
Ai konfirmoi përkushtimin e Ministrisë për t’i shndërruar praktikat hulumtuese në politika konkrete, dhe nënvizoi se cilësia e mësimdhënies, përgatitja profesionale dhe zhvillimi i vazhdueshëm i mësimdhënësve mbeten prioritete të institucioneve arsimore.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, foli për rëndësinë e lidhjes së kërkimit shkencor me praktikën dhe proceset vendimmarrëse, dhe e vlerësoi konferencën si një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe formulimin e rekomandimeve konkrete për avancimin e arsimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë.
Ndërkaq, Dekani i Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës, Blerim Saqipi, ndër të tjerash theksoi nevojën për forcimin e profesionit të mësimdhënies dhe lidhjen e praktikës me kërkimin shkencor.