Këshilltarja e ministrit në detyrë të Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, Bleona Kelmendi mori pjesë në Konferencën Kombëtare për Arsimin Dual, në të cilën u diskutuan arritjet, sfidat dhe perspektiva e arsimit dual në Kosovë.
Në fjalën e saj, në emër të ministrit Çeku, ajo theksoi përkushimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e arsimit dhe aftësimit profesional.
“ Sot, 17 komuna janë pjesë e këtij programi, 32 shkolla dhe 16 profile, me 142 klasa dhe mbi 2500 nxënës tashmë pjesë e sistemit, ku mbi 70% e tyre janë të punësuar”, tha Kelmendi gjatë fjalës së saj.
Këshilltarja vlerësoi kontributin e bizneseve dhe partnerëve ndërkombëtarë, në veçanti mbështetjen e Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut, si dhe shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të vazhduar bashkëpunimin me të gjithë akterët për zgjerimin dhe avancimin e arsimit dual.
Konferenca shërbeu si një platformë për shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e praktikave të mira, me qëllim forcimin e lidhjes ndërmjet arsimit profesional dhe tregut të punës.
Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit “Shkathtësitë për punësim të qëndrueshëm në Kosovë”, të financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe të implementuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe LuxDev.