Me rastin e 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Ministria e Arsimit dhe Shkencës organizoi një aktivitet të veçantë me pjesëmarrjen e nxënësve, mësimdhënësve, drejtorëve të shkollave, prindërve dhe përfaqësuesve institucionalë.
Zëvendësministri Përparim Kryeziu theksoi se mbrojtja e të drejtave të fëmijëve dhe ofrimi i arsimit cilësor për secilin fëmijë mbeten ndër prioritetet kryesore të institucioneve të Kosovës, duke vënë në pah rëndësinë e arsimit gjithëpërfshirës dhe krijimit të një mjedisi të sigurt, të barabartë dhe mbështetës për të gjithë fëmijët.
Ai theksoi gjithashtu angazhimin e MASH-it në fuqizimin e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve, rritjen e cilësisë në arsim dhe parandalimin e dukurive që cenojnë mirëqenien e tyre, duke bërë thirrje për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve, familjes dhe shoqërisë.
Drejtoresha e Arsimit Parauniversitar, Anita Kadriu, theksoi nevojën për zbatim më të mirë të politikave për sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve në shkolla, si dhe forcimin e monitorimit në terren, duke njoftuar formimin e një grupi punues për sigurinë në shkolla me fokus në parandalimin e bullizmit dhe forcimin e masave disiplinore.
Ndërsa nxënësja Klea Shala, nga ShFMU “Faik Konica” në Prishtinë, shprehu mirënjohje për përkushtimin e institucioneve në mbështetje të fëmijëve, duke theksuar rëndësinë e një mjedisi të sigurt, gjithëpërfshirës dhe të barabartë për zhvillimin dhe pjesëmarrjen e tyre aktive në jetën shkollore dhe shoqërore.