Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, së bashku me Shefin e Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Hubert Perr, përfaqësuesen e UNOPS-it, Sabine Kania, dhe rektorin e Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, vizituan sot objektin në ndërtim të Fakultetit të Matematikës dhe Shkencave Natyrore (FMShN) në Universitetin e Prishtinës.
Gjatë vizitës, ministri Çeku u njoftua nga afër me progresin e punimeve dhe zhvillimet e deritanishme të projektit “Projektimi, Ndërtimi dhe Funksionalizimi i Fakultetit të Matematikës dhe Shkencave Natyrore të Universitetit të Prishtinës”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i implementuar nga UNOPS.
Ministri Çeku e vlerësoi këtë projekt si një investim të rëndësishëm në arsimin e lartë dhe në reformimin e universiteteve publike. Ai theksoi rëndësinë e orientimit të universiteteve në përputhje me synimin e përbashkët për një arsim të lartë më funksional, më cilësor, më të organizuar dhe që u përgjigjet nevojave të tregut, duke shprehur besimin se objekti do të jetë funksional për fillimin e vitit të ri akademik në tetor të këtij viti.
Ndërtimi i objektit të ri të FMShN-së konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në sektorin e arsimit të lartë, me synim ofrimin e hapësirave bashkëkohore për mësim, hulumtim dhe zhvillim akademik. Vlera e përgjithshme e investimit është 17.9 milionë euro.