Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka filluar procesin e vlerësimit të maturantëve në kuadër të arsimit dual, model i integruar që kombinon njohuritë teorike të marra në shkollë me shkathtësitë praktike.
Ky vlerësim po realizohet në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet shkollave profesionale dhe bizneseve, për të matur gatishmërinë e nxënësve për tregun e punës.
Drejtori i Departamentit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional në MASh, Lah Nitaj, gjatë vlerësimit të maturantëve të IAAP “Lutfi Musiqi” në Vushtrri theksoi se arsimi dual po dëshmohet si një model i suksesshëm në përgatitjen profesionale të të rinjve, duke kombinuar mësimin teorik dhe praktikën në kompani. Ai bëri të ditur se aktualisht mbi 2500 nxënës vijojnë mësimin në këtë sistem.
Ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, vlerësoi arsimin dual si një reformë të rëndësishme për zhvillimin e arsimit profesional dhe përgatitjen e të rinjve për tregun e punës.
Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna dhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, shkollave profesionale dhe sektorit privat për krijimin e mundësive të punësimit të të rinjve.
Arsimi dual po zbatohet në 32 shkolla profesionale në Kosovë, në bashkëpunim me mbi 1000 kompani partnere.