Ministria e Arsimit dhe Shkencës organizoi manifestimin mbarëkombëtar “Festa e Abetares”

Ministria e Arsimit dhe Shkencës organizoi manifestimin tradicional mbarëkombëtar “Festa e Abetares”, i cili këtë vit u mbajt në Mitrovicë. Në këtë manifestim morën pjesë përfaqësues të institucioneve arsimore nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërshtetror në fushën e arsimit, kulturës dhe ruajtjes së gjuhës shqipe.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci tha se “Mitrovica është zemra e Kosovës, ndërsa fëmijët janë shpirti i një kombi”, duke theksuar rëndësinë e dijes dhe të leximit në ndërtimin e së ardhmes së vendit.

Kryetari i Këshillit Organizativ në kuadër të MASh-it, Avni Rexha, tha se “Festa e Abetares” organizohet tash e 14 vite me radhë dhe përfaqëson një nga ngjarjet më domethënëse për arsimin shqip. Ai theksoi se Abetarja e përbashkët Kosovë-Shqipëri, e hartuar në kuadër të marrëveshjeve ndërmjet dy ministrive të arsimit, ka forcuar unitetin gjuhësor, kulturor dhe arsimor ndërmjet shqiptarëve.

Në fjalën e tij, përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Shkëlqim Allgaj, vlerësoi rëndësinë historike dhe kombëtare të gjuhës shqipe, duke theksuar se “Festa e Abetares” është simbol i ruajtjes së identitetit dhe trashëgimisë sonë kombëtare.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Arsimit nga Maqedonia e Veriut, Mjellma Gashi përgëzoi nxënësit për angazhimin dhe suksesin e treguar gjatë këtij rrugëtimi të parë arsimor, duke theksuar se fëmijët janë e ardhmja e shoqërisë sonë.

Gjatë manifestimit, nxënësit prezantuan programe artistike e kulturore, duke dëshmuar talentin dhe dashurinë për gjuhën shqipe.

Në përmbyllje të aktivitetit, u përcoll mesazhi për rëndësinë e leximit, dijes dhe ruajtjes së gjuhës shqipe brez pas brezi dhe u ndanë mirënjohje për shkollat pjesëmarrëse.

wpChatIcon
wpChatIcon
Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors