Edicioni i 18-të i panairit i cili po mbahet në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, bashkon institucionet arsimore nga të gjitha nivelet, akterët e arsimit joformal, bizneset dhe përfaqësues të tregut të punës, duke ofruar mundësi të shumta për informim, orientim në karrierë dhe zhvillim profesional për të rinjtë.
Në hapjen e panairit morën pjesë edhe këshilltaret e ministrit të Arsimit, Arta Berisha, Bleona Kelmendi dhe drejtori i Departamentit të Arsimit Profesional, Lah Nitaj, të cilët vizituan tendat e pjesëmarrësve dhe panë nga afër punën dhe angazhimin e nxënësve, studentëve dhe institucioneve pjesëmarrëse.
Panairi synon të forcojë lidhjen ndërmjet arsimit dhe tregut të punës, duke krijuar hapësira konkrete për bashkëpunim dhe mundësi të reja për gjeneratat e reja.