Në Prizren u përurua shkolla fillore dhe e mesme e ulët “Nazim Kokollari-Budakova”, projekt i financuar nga Bashkimi Evropian në vlerë investimi 5.2 milionë euro.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadori Aivo Orav, ish-ministrja e Arsimit dhe Shkencës, njëherësh deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Arbërie Nagavci, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, si dhe përfaqësues të institucioneve lokale, mësimdhënës, prindër dhe nxënës.
Me këtë rast, ministri Çeku falënderoi të gjithë partnerët për bashkëpunimin dhe mbështetjen në realizimin e projektit, duke theksuar rëndësinë e investimeve në infrastrukturën arsimore dhe përmirësimin e kushteve për zhvillimin e procesit mësimor.
Ai nënvizoi nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, me qëllim të avancimit të mëtejmë të kushteve në arsim.
Ambasadori i Bashkimit Evropian, Aivo Orav, theksoi se mbështetja për sektorin e arsimit mbetet pjesë e angazhimit të BE-së në Kosovë, duke përmendur investimet e realizuara ndër vite në fusha të ndryshme, përfshirë edhe arsimin.
Ndërkaq, drejtoresha e shkollës, Belkize Hoxha, shprehu falënderim për institucionet dhe partnerët që kontribuuan në ndërtimin e objektit të ri, i cili ofron kushte të përshtatshme dhe moderne për nxënësit dhe stafin mësimor.
Ky investim, i mundësuar nga Bashkimi Evropian, përfaqëson një mbështetje të çmuar për zhvillimin e arsimit dhe përmirësimin e kushteve të mësimdhënies dhe mësimnxënies. Me përurimin e këtij projekti, nxënësit dhe mësimdhënësit tashmë kanë në dispozicion hapësira më funksionale, ambiente bashkëkohore dhe kushte më të sigurta për punë dhe mësim.